Kryetari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, në emisionin “Real Story” në ABC News reagoi në lidhje me akuzat dhe thashethemet që, sipas tij, përdoren për të dëmtuar figurën e tij publike, sidomos gjatë fushatave elektorale. Në një intervistë publike, Qori u shpreh se është përballur me një “sagë shpifjesh”, të cilat i konsideron si abuzim me marrëdhëniet familjare të njerëzve.
“Unë di shumë që abuzohet me marrëdhëniet familjare. Nuk e di fare për këtë rast. U shpall lista e kandidatëve për deputetë dhe thanë që Arlind Qori i kandidon i vëllai, tani unë një vëlla kam. Doli, u bë lajm, një gënjeshtër. Pastaj doli lajmi që vëllai i Arlind Qorit është një pronar i madh i një kazinoje në Tiranë. Ai i shkreti është një teknik kompjuteri. Nga një teknik kompjuteri e bënë drejtor, pastaj thanë që gruaja e Arlind Qorit punon drejtoreshë tek Bashkia e Tiranës, çmenduri! U bë një fushatë shpifjesh për interesa elektorale, por për këtë rast nuk di të them se çfarë marrëdhënie familjare ka apo jo. Por, di që këtu abuzohet shumë me marrëdhëniet familjare të njerëzve.”
Qori u ndal edhe te debati për konfliktin e interesit në institucionet publike, duke dhënë qëndrimin e tij nëse lidhjet familjare përbëjnë domosdoshmërisht problem etik apo ligjor.
“Po të isha unë në gjykatë nuk do ia dija fare as për motër, as për vëlla dhe as për kushëri. Unë nuk mendoj që lidhjet familjare nga pikëpamja formale përfshijnë doemos kushërinjtë, sepse më duket shumë e largët. Ligji ka një karakter shumë formal. Ky është një problem shumë i madh.”
Deklarata e Qorit vjen në një kohë kur në debatin publik janë shtuar rastet ku lidhjet familjare përmenden si indicie për konflikt interesi apo ndikim të padrejtë në vendimmarrje institucionale apo politike. Ai kërkon më shumë maturi dhe objektivitet, duke theksuar se shpesh sulmet personale kthehen në mjete politike./abcnews.al