“Teatri për mua është jetë, pa të nuk kam patur as frymëmarrje për një kohë të gjatë. Edhe pasi kam dalë në pension kam qenë aktiv,”- kështu e nis rrëfimin e tij në Pas Mesnate Ahmet Pasha ‘Artist i Merituar’, i cili numëron më shumë se 100 role në skenën e Teatrit apo në sheshxhirime.
Maji shënon 80 vite Teatër Kombëtar.
“Këto ditë kemi edhe 80 vjetorin e Teatrit, dhe kur hedh sytë pas me atë profesion kam lidhur jetën dhe familjen time. Familja jeton gjithmonë me shqetësimet e të madhit të familjes.
Mbase për të folur për fillimin e Teatrit duhet të ishte tjetër kush, por unë kur kam hyrë në Teatër kam patur shansin, kam patur fatin që disa prej tyre t;i kem edhe kolegë të bashkëpunoj me ta.
E kam ndjerë veten shumë inferior, kanë qenë Kadri Roshi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, Marie Logoreci, Drita Pelinku, emra të cilët sot e kësaj dite kur i përmend kanë peshë të madhe.
Të krijonte një lloj kontrakture, se thoja si do të luaj unë me ta. Të duket vetja sikur je nën hijen e një rrapi të madh. Dhe për hir të së vërtetës, ata na kanë ndihmuar shumë të lulëzojmë në skenë,’-kujton ai, ndërsa thekson se Arturo Ui, është shfaqja më e mirë që ka vënë në skenë Teatri Kombëtar.
“Kishte disa elementë të ndryshëm që ishin të standardeve të larta. E para, materiali dramartugjik ishte një dramë e jashtëzakonshme, me ngjarje, dialogje, me të gjitha ngjyrat ishin brenda te ajo dramë që ngjithën bukur nën regjinë e gjigandit Pirro Mani, që i mungon shumë Teatrit Sot.” shton Pasha/abcnews.al