Vërtet që nuk kanë dhënë garanci, por nuk priteshin kaq dobët. Ish-nënkampionët e Europës, futbollistët e Dortmundit, zhgënjyen plotësisht në debutimin e tyre në Botërorin e klubeve, duke pasur edhe shumë fat.
Përballë Borusias ishte Fluminense dhe skuadra braziliane e tregoi veten më shumë se një rival të denjë të europianëve, madje duhej të kishte fituar. Lojtarët jo aq shumë të shquar nga rrethinat e Rio de Zhaneiros bënë lojën dhe gjithçka tjetër në stadiumin “Metlajf” në Nju Xhersi.
E njohur me emrin e shkurtuar “Flu”, ajo u udhëhoq nga kapiteni Tiago Silva që vazhdon të luajë edhe në moshën 40-vjeçare. Nën udhëheqjen e tij në qendër të mbrojtjes, gjermanët nuk patën asnjë shans.
Ndërkaq, u reklamua shumë debutimi I Belinghamit të dytë tek Borusia, 19-vjeçarit Xhobi. Vëllai i Xhud Belinghamit nuk mundi ta linte shenjën e tij këtë herë, por do të ketë raste në të ardhmen.
Fluminense pati epërsi të madhe në fushë me 55 për qind mbajtje topi, me dyfishin e gjuajtjeve gjithsej dhe në kuadrat. Rastet nuk munguan, por për fatin e gjermanëve gol nuk u shënua asnjë.