Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, në një vendim të shkallës së parë, Vojin Pavloviqin – kryetarin e Shoqatës proruse Alternativa Lindore e Republikës Sërpska – për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.
Gjyqtari, në vendimin e tij, tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla.
“Gjykata po dërgon një mesazh të qartë se vendimet për gjenocidin dhe krimet e luftës janë fakte të vërtetuara gjyqësisht, jo vetëm nga Gjykata e Hagës, por edhe nga gjykatat në Bosnje e Hercegovinë”, tha gjyqtari Goran Radeviq, duke shtuar se veprimet e Pavloviqit nuk përbënin shprehje të opinionit politik në kuadër të lirisë së fjalës, por “mohim të ashpër të gjenocidit”.
Pavloviq u dënua sepse më 10 mars 2023, në një kryqëzim në Bratunac, kishte vendosur një pankartë me fotografinë e Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të ushtrisë së RS-së i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë.