Davidi e ndali Goliadhin/ Auckland barazon me gjiganden argjentinase, Boca Juniors

schedule12:45 - 25 Qershor, 2025

schedule 12:45 - 25 Qershor, 2025

Ky gol vlejti më shumë sesa një vit i tërë. Një futbollist gjysmëprofesionist që po trajnohet për mësues pati një nga momentet më mëdha të jetës së tij, ndërsa Oklend Siti mori barazimin 1-1 ndaj Boka Juniorsit.

Kristian Grej realizoi në 52’, dy minuta para sesa ndeshja të ndërpritej gjatë për shkak të stuhisë. Ekipi më i dobët i Kupës së Botës për Klubet, i renditur poshtë vendit të 4000 në rruzull, fitoi një pikë ndaj gjigandes nga Argjentina, që ka trofe të panumërt dhe një emër të jashtëzakonshëm.

Barazimi vlen 1 milionë USD, ndërsa të ardhurat vjetore të Oklendit për sezonin e fundit ishin rreth 660 000. Jo vetëm kaq, por ky klub amator ka marrë edhe 3.58 milionë USD vetëm për pjesëmarrjen.

Boka kaloi e para në epërsi në stadiumin e Nashvilit, kur portieri neozelandez Garrou shkaktoi autogol në 26’. Argjentinasit bënë më shumë, por nuk ishin aspak të saktë dhe largohen të eliminuar me vetëm dy pikë në grupin me Bajernin, Benfikën e pikërisht Oklendin.

E përditshmja “The Post” nga Zelanda e Re titullon: Ne fituam respektin! Një mësues I ardhshëm I siguron Oklendit barazimin e famshëm me Boka Juniorsin! Tronditen gjigandët argjentinas!

Gazeta tjetër, “Staf”, thekson se barazimi në ndeshjen epike ndaj Boka Juniorsit në Botërorin e FIFA-s ka vlerë të madhe për Oklendin!

Siç pritej, kritikat nga Argjentina ishin të ashpra. “Klarin” nga Buenos Aires shkruan se Boka kthehet nga Botërori ashtu siç shkoi, duke shfaqur versionin e saj më të keq! Dyshime për të ardhmen!

Ja edhe “Ole”: Mirupafshim iluzione! Boka u eliminua nga Botërori I Klubeve! Nuk mundi dot as ata që luajnë futboll në kohën e lirë!

Në të vërtetë, të përditshmet argjentinase nuk hedhin poshtë faktin se Boka thuajse fitoi ndaj Benfikës dhe thuajse barazoi kundër Bajernit, por ndeshja përballë Oklendit sikur I hodhi poshtë të gjitha këto.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »