TIRANË- Këtë të hënë u caktua trupa gjykuese, e cila do gjykojë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe aktorët e tjerë të akuzuar për korrupsion e pastrim parash për dosjen e njohur “Partizani”.
Trupa gjykuese përbëhet nga Elsa Ulliri (kryesuese), Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Por çfarë pritet në këtë proces?
Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, i ftuar në “Tirana Live” theksoi se tashmë gjërat janë kopsitur dhe të gjitha palët janë përgatitur për t’u përballur në Gjykatë.
Ai theksoi se Gjykata nuk do të “vuajë” shumë për të dalë me një vendim mbi këtë çështje, tek e cila është marrë i pandehur ish-kryeministri i vendit.
“I kanë parë provat, i kanë sistemuar, e dinë se çfarë do kërkojnë, si do kërkojnë dhe i dinë nenet. Kjo është përgatitje. Për sa kohë sa kanë vendosur të shkojnë në gjykatë, kjo do të thotë se janë përgatitje për të mbrojtur akuzën në gjykatën, ashtu dhe mbrojta është përgatitur për t’u ballafaquar në gjykatë. Them ta presim gjykimin.
Nëse Berisha është i pafajshëm le ta mbrojë veten në gjykatë. Nuk kam asnjë të dhënë mbi ato që janë shkruar atje, të dyja palët e dinë.
T’ja lëmë gjykatës. Prokuroria e ka thënë fjalën saj. Procesi gjyqësor nuk do jetë kaq i gjatë dhe gjërat janë trajtuar. Gjykata nuk do të vuajë shumë për të marrë vendimin, tani të presim vendimin”, tha Klosi./abcnews.al