Mrekullia vazhdon e ndoshta nuk do të ndalet as këtë mbrëmje. Spanja, kampionia e Europës dhe fituese në fuqi e Ligës së Kombeve, do të luajë një tjetër finale, sërish në Ligën e Kombeve, ndërsa përballë do të ketë një rival tepër të njohur dhe një legjendë.
Pas eliminimit të Francës në gjysmëfinale me rezultatin aspak të zakonshëm 5-4, “Furitë e Kuqe” do të kenë punë me Portugalinë dhe Kristiano Ronaldon në “Alianc Arenë” të Mynihut, me nisje nga ora 21:00.
Iberikët nuk kanë probleme me formacionin, dhe të tillë si Lamin Jamal, Niko Uilliams apo Pedri janë në formacion, ndonëse ka shumë që nuk janë të Barçës apo Realit, si Ojarzabal, Merino, Zubimendi, Le Normand apo Kukureja. Në rast suksesi De La Fuente mund të bëhet trajneri me më shumë trofe në historinë e kombëtares së Spanjës, me 3 tituj.
“Nuk dua të mendoj për këtë, ndonëse është diçka që më emocionon, dhe është një burim krenarie. Nuk ka dyshim për këtë. Gjithsesi, nuk mund ta kem mendjen aty, mendoj sesi të vazhdojmë të punojmë për të arritur suksese të tjera. Ky është një detyrim për mua si njeri I sportit, si person dhe si trajner I kombëtares. Unë kam një grup lojtarësh që duan gjithmonë të luftojnë për të fituar. Natyrisht, më pëlqen ky rekord”.
Përballë kampionëve të Europës do të jetë Kristiano Ronaldo.
Legjenda portugeze, në moshën 40-vjeçare, nuk tregon shenja plakjeje dhe mbetet protagonist I madh, si edhe në fitoren në gjysmëfinale kundër Gjermanisë, duke shënuar gol.
Ai mund të fitojë trofeun numër 32 në karrierën e tij të lavdishme.
“Ne jemi optimistë, me besim në veten tonë, ndonëse do të luajmë ndaj një skuadre të shkëlqyer, që mund të cilësohet më e mira e botës në këtë moment. Skuadra ka besim edhe për paraqitjen që bëmë në ndeshjen e fundit. Është një finale, dhe ne besojmë se ekipi mund të arrijë një tjetër sukses dhe të fitojmë trofeun”.
Spanja mbetet favorite ndaj Portugalisë, për shkak të titujve të fituar, por edhe të bilancit, ndonëse edhe Gjermania pati bilanc pozitiv me “luzitanët” dhe në fund humbi.