Fatjon Kurti e nis ditën shumë herët. Çdo mëngjes ai paraqitet pranë zyrave të Postës Shqiptare në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë për të marrë në dorëzim, zarfet, shkresat dhe dokumente të tjera me vlerë për t’i shpërndarë.
“Mora objektet, tani kam procesin e kontrollit të tyre, që më përkasin mua në zonë, apo nuk më përkasin. Unë mbuloj zonën nga Pazari i Ri deri me Xhamlliku, është një zonë e gjerë. Si postier kam edhe Gjykatën e Apelit, ajo ka shumë materiale deri në 300. Po për banorët varet dita, nuk është gjithmonë njësoj.”
Por, cila është vështirësia më e madhe e një postieri?
“Adresat e pasakta i seleksionoj veç, sepse kërkojnë më shumë kohë për t’i gjetur. Ky është një ngërç. Na ndihmojnë kur vendosin numra telefoni se i gjejmë më kollaj.”
Sapo merr të gjitha materialet, Fatjoni niset për t’i shpërndarë në zonën që mbulon. Me biçikletën e tij, 48-vjeçari lëviz me shpejtësi në rrugët dhe lagjet e kryeqytetit. Letrat dhe zarfet e tij i presin qytetarë, institucione dhe biznese të ndryshme.
“U dorëzua me sukses, tani shkojmë te personi tjetër që po na pret…”
Shi, diell, ftohtë apo nxehtë, kushtet e motit nuk ndikojnë në punën e një postieri. Fatjoni lëviz kështu, çdo ditë në rrugët e Tiranës.
“Është një eksperiencë shumë e bukur për mua, e ndjej veten shumë mirë.”
Korrektësia dhe mbërritja në orar është qëllimi kryesor i 48-vjeçarit.
“Unë zakonisht i mbaroj punët shpejt. Kishim një objekt, që personi ishte shumë larg nga zona ime.”
Në punën e tij gjatë gjithë vitit, ka një ditë që e veçon nga të tjerat.
“Në datën 31 dhjetor, unë vishem si babagjysh. E kam bërë traditë. Shkoj në shtëpi e zyra dhe ka një gëzim kur në një familje hap derën një fëmijë i vogël dhe thotë erdhi babagjyshi.”
Me buzëqeshjen që e karakterizon gjithmonë, postieri 48-vjeçar pranon se shpesh ndodhet edhe në mesin e konflikteve të panevojshme në momentin që dorëzon dokumente.
“Unë bëj punën time, personi është në të drejtën e vet refuzon marrjen e zarfit. Rastet e gjyqeve kanë probleme dhe në njëfarë mënyre shfryjnë edhe te postieri, por ne bëjmë punën tonë dhe postieri të sjell edhe haberin e keq dhe të mirin.”
Fatjoni është fytyra më e njohur në lagjet e vjetra të Tiranës, tek pazari i ri dhe Xhamlliku. Këtë punë e bën prej 7 vitesh, por profesioni i tij, një nga më të vjetrit në botë nuk preferoherohen nga të rinjtë.
“Jemi brez i vjetër që e kemi edukatën dhe disiplinën e punës.”/abcnews.al