Një ngjarje prekëse ka ndodhur në qytetin Diu të Indisë Perëndimore, ku Vishwashkumar Ramesh, britaniku i vetëm që mbijetoi nga rrëzimi tragjik i avionit të kompanisë Air India javën e kaluar, ka ndihmuar në ceremoninë mortore të vëllait të tij, Ajay, i cili humbi jetën në aksident.
Ramesh, me krahun dhe fytyrën ende të fashuar, ishte mes mbajtësve të arkivolit në procesionin mortor që u zhvillua nën reshje shiu. Ai sapo kishte dalë nga spitali, ku kishte kaluar pesë ditët e fundit duke marrë mjekim për djegie dhe plagë të shumta.
Avioni “Boeing 787-8 Dreamliner”, me destinacion Londrën, u rrëzua disa sekonda pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad më 12 qershor, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 270 personave, përfshirë pasagjerë dhe njerëz në tokë. Për fat të keq, vëllai i Vishwashkumar Ramesh, Ajay, ndodhej gjithashtu në bord dhe nuk mbijetoi.
Në mesin e të vrarëve janë edhe 14 banorë të Diu-së, që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit viktimës së komunitetit të tyre./abcnews.al