Irani po përgatitet që në orët në vijim të ndërmarrë “një goditje shumë të rëndë” ndaj Izraelit, në përgjigje të sulmeve të fundit izraelite. Lajmi raportohet nga agjencia Fars News, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (të njohur si Pasdaranët), dhe është pasqyruar gjithashtu nga Iran International, një media opozitare me qendër në Londër.
Sipas këtyre burimeve, qëllimi është të realizohet goditja më e ashpër që nga fillimi “i agresionit”.
Televizioni shtetëror iranian u sulmua nga Izraeli, disa gazetarë dhe punonjës të vrarë
Sulmi i kryer nga Izraeli kundër selisë së televizionit shtetëror iranian, në Teheran, në një lagje të mbushur me shtëpi banimi, ndërtesa institucionale, ambasada dhe zyra korrespondence të mediave si AFP franceze, shkaktoi disa vdekje midis gazetarëve dhe punonjësve.
Kjo u raportua nga media zyrtare e Teheranit dhe nga faqet e opozitës iraniane.
Gazeta shtetërore e Iranit Hamshahri njofton se disa punonjës të televizionit shtetëror u vranë në sulmet ajrore izraelite që shënjestruan kanalin e lajmeve IRIB.
Izraeli ka rinisur sot sulmet ajrore në Teheran, duke goditur kryesisht zonat lindore dhe perëndimore të kryeqytetit iranian, ku edhe aktualisht raportohet për shpërthime të fuqishme. Ndër zonat e goditura janë Chitgar, qendra tregtare gjigante Iranmal, Shahrak Bagheri dhe rrethinat e lagjes Olimpike.
“Objektiva ushtarake po goditen aktualisht në Teheran.”, shkroi IDF.
Ndërkohë, shumë banorë të Distriktit 3 të Teheranit po përgatiten të largohen nga qyteti, pas paralajmërimit për evakuim të lëshuar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Sipas mediave lokale, objektiv i sulmeve ka qenë gjithashtu edhe një “garnizon ushtarak në perëndim” të kryeqytetit iranian. / abcnews.al