Fahredin Spahija është një fotograf i njohur brenda dhe jashtë vendit. Ai është i fokusuar tek qenia njerëzore e veçanërisht nudoja.
Spahija ka lindur në Shkup, ku arsimin fillore dhe gjimnazin e bëri në Mitrovicë më pas në vitin 86 mbaron fakultetin e arteve në Prishtinë në degën e dizjanit, kur dhe mbaron magjistraturën për dizajn grafik.
Ai ka hapur një sërë ekspozitash, brenda dhe jashtë Shqipërisë me tema të ndryshme, por që është i fokusuar tek bukuria femërore. Fahredin Spahija është nderuar dhe një sërë çmimesh prestigjioze. Në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News ai vjen me një rrëfim ndryshe dhe mjaft emocional për pasionin e tij për fotografinë dhe kujtimet e errëta të luftës në Kosovë.
Ai ndan dhe momentin trishtues ku pas shumë vitesh gjeti të shkrumbuar shtëpinë e tij dhe po ashtu gjithë krijimtarinë. Nga gjithçka, nuk gjeti më asgjë, përveçse aparatin e parë fotografik, të cilin e kishte blerë me rrogën e parë.
“Është aparati që kam blerë në vitin 1982 me rrogën time të parë. Bashkë me aparatin në atë kohë bleva edhe laboratorin për zhvillimin e filmit dhe të fotografisë. Atë laborator e vendosa në dhomën time të rinisë, kur bëja gjumin dhe e improvizova atë laborator duke i mbyllur dritaret me perde pak më të trasha. Ashtu e nisa fillimisht hulumtimin tim të parë rreth fotografisë.
Është hulumtim i cili është djegur bashkë me gjithë shtëpinë në vitin 1998, nga paramilitarët dhe forcat policore serbe. Unë në atë kohë isha me familjen dhe kur vendosa që të kthehesha në vitin 2000 në Kosovë, vizitën e parë e bëra në Mitrovicë sepse atje kam bërë një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë dhe doja që të shikoja gërmadhat e shtëpisë, e cila ishte ndërtuar me aq mund nga prindërit e mi. Ishte një moment shumë emocional, aty kam pasur qindra vizatime dhe grafika të realizuar. E kaluara ime artistike ka qenë aty në atë shtëpi dhe papritur ngela pa asgjë. Duke hulumtuar me këmbë në rrënojat e shtëpisë unë u hasa me aparatin tim fotografik”, tregoi fotografi./abcnews.al