Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm kanë regjistruar gjithsej 107 kallëzime penale për vepra që lidhen me shkeljet në fushën e zgjedhjeve, deri më datën 22 maj 2025. Këto kallëzime janë bërë mbi bazën e veprave penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal, që përfshijnë ndër të tjera cenimin e votës së lirë, korrupsionin zgjedhor dhe pengimin e procesit zgjedhor.
Burimi i kallëzimeve ka qenë i ndryshëm, ku në 64 raste ato janë njoftuar nga policia gjyqësore, në 17 raste nga SPAK, në 9 raste nga subjekte politike, në 11 raste janë regjistruar kryesisht nga vetë organet e prokurorisë dhe në 6 raste janë paraqitur nga qytetarë të thjeshtë.
Nga pikëpamja gjeografike, më shumë kallëzime janë regjistruar në Prokurorinë e Tiranës me 33 raste, pasuar nga Dibra me 17, Elbasani me 12 dhe Fieri me 10 raste. Në Lezhë janë regjistruar 8 kallëzime, në Sarandë 5, ndërsa Durrësi, Kukësi dhe Korça kanë nga 4 raste secila. Prokuroritë e Gjirokastrës dhe Shkodrës kanë regjistruar nga 3 kallëzime, ndërsa ato të Vlorës dhe Beratit nga 2.
Prokuroritë theksojnë se hetimet për këto raste janë në vijim dhe se po punohet për të ndjekur penalisht të gjithë ata që kanë shkelur ligjin në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e garantimit të një procesi demokratik të ndershëm dhe të pandikuar.
/ abcnews.al