“Mbreti vdiq, rroftë mbreti”/ Real nuk humb kohën, zyrtarizon Alonson

schedule15:47 - 25 Maj, 2025

schedule 15:47 - 25 Maj, 2025

Ndeshja e fundit në “Santiago Bernabeu” ishte emocionuese. Real Madrid dhe populli “los blancos” nderoi dhe përshëndeti dy emra të mëdhenj si Luka Modriç dhe Carlo Ancelotti.

Por në një klub të mësuar me triumfin, sentimentralizmat nuk zgjasin shumë.

Ende pa u mbushur 24 orë, Real ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Asnjë surprizë. Ai është Xabi Alonso, një emër I njohur dhe po aq I dashur në “Santiago Bernabeu”.

Marrëveshja ishte arritur prej ditësh, ndërsa me anë të një njoftimi për mediat, klubi madrilen konfirmoi uljen e tij në pankinë. Tekniku 43 vjeçar ka firmosur kontratën deri në 30 qershor të vitit 2028, ndërsa ceremonia e prezantimit të tij është programuar mesditën e së hënës.

Xabi Alonso ka një të shkuar të ndritur si futbollist me Real Madrid, ku luajti 236 ndeshje  nga viti 2009 deri në vitin 2014. Në këtë periudhë ai fitoi gjashtë trofe: 1 Champions League, 1 Superkupë Europë, 1 titull në La LIga, 2 Kupa të Mbretit dhe 1 Superkupë në Spanjë.

Edhe kur u tërhoq si lojtar, ai hodhi hapat e para si trajner te Real Madrid, duke drejtuar skuadrat e moshave, përpara se të arrinte kulmin në pankinën e Bayer Leverkusen, ku fitoi titullin kampion në Bundesligë në edicionin 2023/2024.

Në sezonin që sapo u mbyll, Xabi Alonso e mbylli në vendin e dytë me Leverkusen.

Por Real Madrid është një tjetër “piacë”, ndërsa trajneri nuk do të presë gjatë për të treguar veten, pasi “los blancos” do të luajnë në Botërorin për Klube që nis më 14 qershor në SHBA./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »