Meta sulmon Dumanin/ Humbi në zgjedhje, akuza kreut të SPAK: I dha mandatin socialistëve

schedule15:13 - 27 Maj, 2025

schedule 15:13 - 27 Maj, 2025

Ilir Meta nuk e fitoi mandatin e deputetit e për rrjedhojë as lirinë. Njëjtë si aleati I tij, as kryetari i Partisë së Lirisë nuk e pranon humbjen por për të ka vetëm një fajtor. Altin Dumani, kreu i SPAK, të cilin e akuzon se ka mbështetur krimet zgjedhore dhe po nxiton ta lërë në qeli, pasi Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK edhe me rrëmbimin tim në mënyrë kriminale më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe e gjithë bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve, të nisur që në dhjetor 2019 nga Altin Dumani”

Prokurorët dhe Gjyqtarët, Meta i akuzoi se po marrin urdhra nga Edi Rama. Ish presidenti që po përballet me drejtësinë, thotë se mandatin e katërt socialisteve ia dha SPAK.

“Pres me padurim, nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me “Task Force” e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre”

Një koment Meta e kishte edhe për reformën në drejtësi.

“Jemi të bindur në shpartallimin e plotë të kësaj farse kundër Ilir Metës si President i Partisë së Lirisë, por edhe si ish-President i Republikës, i cili provoi botërisht në Komisionin e Venecias dhe kudo tjetër, shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në Ramaformë me 69 vota”

Ilir Meta, i vetmi politikan që ka mbajtur thuajse çdo post, përfshirë atë të presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar nën akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurive.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »