Motorët e ujit nuk do të dalin më në det deri në një vendim të dytë.
Incidenti i regjistruar të dielën në bregdetin e shkëmbit të kavajës ku humbi jetën një turist anglez, nxiti autoritetet në marrjen e masave dhe futjen në sitë të të gjitha bizneseve që operojnë në sporte ujore.
Ndaj të gjitha këtyre subjekteve që operojnë në vijën bregdetare të Durrësit po ushtrohen kontrolle dhe po merren masa.
Për shkak të rrethanave të ngjarjes dhe për të garantuar sigurinë publike, aktivitetet që lidhen me sportet ujore janë pezulluar përkohësisht.
Policia kufitare, në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe institucionet përgjegjëse, ka marrë masa për të ndaluar daljen në det të mjeteve motorike ujore.
Ky pezullim do të qëndrojë në fuqi deri sa Bashkia e Durrësit të përcaktojë zyrtarisht vendbazimet për këto mjete, të cilat duhet të jenë të pajisura me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, si në tokë ashtu edhe në det. Sipas praktikave të viteve të fundit, në Durrës janë përcaktuar zakonisht pesë vendbazime për sportet ujore, të cilat funksionojnë vetëm pasi të jenë licencuar dhe të jenë përmbushur të gjitha kriteret ligjore dhe teknike për sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese.
Një ditë më parë policia e Durrësit vuri në pranga personin që I dha motorin e ujit çiftit anglez të dielën, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe mospajisjen e tyre me veshje sigurie. Nga hetimet e deritanishme, çifti ka kryer manovra shpejtësie ku kanë humbur kontrollin duke rënë në det. Djali ndërroi jetë ndërsa partnerja e tij vijon në gjendje të rëndë në urgjencën e Durrësit.