GJIROKASTËR– Prej më tepër se 40 vite, Desdemona Paskali ushtron zanatin e endjes tradicionale në tezgjahun prej druri.
Këtë zanat e ka nisur qysh në moshë të vogël dhe me kalimin e viteve është bërë një prej mjeshtreve të punimit në qytetin e Gjirokastrës, duke realizuar qilima, sixhade me motive të larmishme, ndërsa është e vetmja që ushtron këtë profesion në pazarin karakteristik të qytetit të gurtë.
Megjithëse e cilëson punimin në tezgjah të vështirë për një grua, sërish ajo nuk ka hequr dorë nga ky zanat.
Pas viteve 90-të çeli një qendër artizanati në Pazarin e Gjirokastrës ku vazhdon të ushtrojë mjeshtërinë e punimit në avlëmend druri. Janë të shumta punët që ajo realizon në tezgjah tradicional duke tërhequr edhe vëmendjen e turistëve.
Përgjatë ditëve të verës, qendra e saj e artizantit kthehet në një qendër trajnimi ku turistët e tërhequr nga punët plot mjeshtëri shprehin interesimin për endjen në tezgjah. Nën drejtim e artizanes ata kërkojnë të mësojnë gjithçka për endjen e qylimave dhe sixhadeve me motivet tona kombëtare.
Artizania gjirokastrite apelon që të rinjtë duhet të trashëgojnë traditën dhe punimi ne avlëmend druri nuk duhet të harrohet si një pjesë e veçantë e saj, por edhe si mundësi punësimi.
Desdemona thotë se ajo e dashuron këtë profesion dhe për fat të keq është ndoshta dhe brezi i fundit që vijon të ruajë traditën e këtij zanati që si shumë të tjerë po braktiset nga të rinjtë.