TIRANË- Mbahet në Bruksel konferenca e Pestë Ndërqeveritare mes Tiranës dhe Komisionit europian, që hap një kapitull të rëndësishëm me fokus te ekonomia.
Ne tetë muajt e fundit, Shqipëria ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian në 27 fusha.
Qeveria shqiptare synon që këtë vit të hapë të gjithë kapitujt dhe brenda vitit 2027 të këtë mbyllur negociatat me Bashkimin Europian.
Eksperti i çështjeve të integrimit, Gledis Gjipali, i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se kjo është faza më e rëndësishme e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij grup kapitulli që do hapet sot në Bruksel ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesin e qytetarëve shqiptarë.
“Kjo është faza më e rëndësishme e procesit të anëtarësimit në BE. Janë një sërë kapitujsh të rëndësishëm, që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, trajton çështjet e mediave, digjitalizimin e shërbimeve, kapitulli i taksimit, që ka të bëjë me shmangien e evazionit fiskal, politikat monetare dhe ekonomike, janë politikat sociale dhe punësimi”, tha ai.
Ai theksoi se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm me reformat e ndërmarra, sidomos në sektorin e drejtësisë.
Kjo arritje shtoi Gjipali është vlerësuar pozitivisht dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojë në maksimum rrethanat, me qëllim që të përmbushë sa më shpejtë procesin e negociatave me BE.
“Pritshmëritë janë të mëdha të qytetarëve shqiptarë, sepse kemi shumë vite në këtë proces. Kemi ecur me ritme të ngadalta si për faje tona të brendshme, ashtu edhe ato te BE, sepse nuk kanë patur interes ta përshpejtojnë ata. Agresioni rus bëri që BE të kthejë sytë nga Ballkani Perëndimor. Reformat në Shqipëri kanë ecur mirë. Referoma në drejtësia ka dhënë rezultate dhe këto kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet pozitivisht”, theksoi ai./abcnews.al