Netanyahu pranon se Izraeli ka armatosur grupe rivale të Hamasit

schedule21:52 - 6 Qershor, 2025

schedule 21:52 - 6 Qershor, 2025

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar se vendi i tij ka armatosur klane në Rripin e Gazës, që sipas tij, janë kundërshtarë të Hamasit, pas akuzave se anëtarët e këtyre grupeve kriminale kanë grabitur ndihmat humanitare dhe kanë lidhje me grupe xhihadiste, ka raportuar The Guardian.

Pranimi i përgjegjësisë u bë pas raportimit të disa mediave izraelite që pretendonin se Netanyahu ka miratuar furnizimin me armë të një klani që udhëhiqet nga Yasser Abu Shabab, banor i Rafahut prej familjes Bedouin, i njohur për lidhje kriminale.

Sipas raportimeve, autoritetet izraelite e kanë furnizuar grupin e Abu Shababit, i cili e quan veten “Shërbimi Anti-Terror”, me armë të gjata të tipit Kallashnikov, përfshirë armatim të ngjashëm me atë të Hamasit.

“Bazuar në këshillat e zyrtarëve të sigurisë, aktivizuam klanet në Gaza që janë kundër Hamasit. Çfarë ka të keqe në këtë?” ka thënë Netanyahu përmes një video të shkurtër që e postoi në rrjetet sociale. “Kjo vetëm sa shpëton jetët e ushtarëve izraelitë, dhe ta bësh publike këtë i shërben vetëm Hamasit” .

Kritika të ashpra ndaj nismës kanë ardhur nga partitë opozitare në Izrael.

Në një postim në rrjetin social X, Yair Golan, udhëheqësi i Demokratëve në Kneset (parlamentin izraelit), ka thënë se “Netanyahu përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit. “Në vend që të arrijë një marrëveshje… të sjellë pengjet në shtëpi dhe të sigurojë qytetarët izraelitë, ai po krijon një bombë të re me kurdisje në Gazë”, ka vazhduar Golan.

Mes tjerash, palestinezët në Gaza shënuan të premten (sot) fillimin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në islam, tek u lutën jashtë xhamive dhe shtëpive të shkatërruara, ndërkohë që furnizimet me ushqim po pakësohen.

Pikat e shpërndarjes së ushqimit të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u rihapën të premten përpara se të mbylleshin sërish disa orë më vonë. Puna në këto pika ishte ndalur më herët këtë javë në përgjigje të një serie të shtënash vdekjeprurëse nga ushtarët izraelitë, që të martën vranë të paktën 27 palestinezë dhe plagosën qindra të tjerë ndërsa prisnin për ushqim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »