At Zef Bisha, Famulltar, në kishën ‘Zemra e Krishtit, në Tiranë e kujton i përlotur Papa Franceskun, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 88 vjecare. Në një bisedë në ‘Pas Mesnatë’ me Leontina Nikën, ai kujton takimin e parë me të, se sa shumë e njihte ai Shqipërinë, dhe thotë se lajmi për ndarjen nga jeta të tij ishte fillimisht i pabesueshëm.
“Nuk e mendova, nuk besoj dhe sapo e lexova shkova dhe i thash vëllezërve të mi jezuitë. Mendova mos është lajm i rremë, mbeta pa fjalë. Pata rastin ta dëgjoj zërin e tij, edhe pse i rënduar shumë. Ishte mrekulli që ai doli dhe përshëndeti në ditën e Pashkëve.”
“ Ajo që është e bukur është që e diela e pashkës që është ringjallja e Jezusit, dhe Papa del i pranishëm, pasi kishte kohë që nuk po fliste, duket sikur i ka përshëndetur të tijët dhe duket sikur i ka thënë tani po ngjitem në qiell i lumtur. Pra, kalimi i Papës në amshim në këtë mënyrë është vërtetë një dicka shumë e bukur. Të gjithë ne do kalojmë në amshim. Është viti jubileut për Kishën, është jubilee kur kisha kujton një herë në 25 vite, kur besimtari fiton ndjesë për mëkatet, ripërtërin jetën e tij në lidhje me Zotin.” thotë ai, ndërsa kujton I përlotur kujtimet dhe takimin nga afër takimin me Papa Franceskun
“Kam kujtime shumë të bukura me Papa Franceskun. Janë momente shumë të bukura, mënyra si na ka pritur, si e njihte Shqipërinë, sa shumë e kishte prekur historia e meshtarëve që kanë vuajtur në Shqipëri. Kjo më ka bërë shumë përshtypje, nuk fliste në përgjithësi për disa persona, por kujtonte histori të vecanta, dhe unë kam mbetur pa fjalë. Më pas kujtonte torturat me korent në kokë, kujtonte shumë. Një gjë që më ka bërë shumë përshtypje ishte se ai kur fliste t’i ngulte sytë të dëgjonte me vëmendje. Kemi qëndruar rreth 20 minuta me të, ka qenë dicka e jashtëzakonshme, ishte një njeri aq i thjeshtë” shton ai, ndërsa e kujton këtë takim si ndër më të bukurit të jetës së tij./abcnews.al