“Pazari” i ligjit të gjobave”/ Berisha akuzë Ramës, por PD votoi pro ligjit

schedule15:25 - 21 Maj, 2025

schedule 15:25 - 21 Maj, 2025

Sali Berisha ka gjetur një nga arsyet kryesore pse humbi zgjedhjet e 11 majit: falja e gjobave.
Një premtim që ai e kishte jo vetëm në programin elektoral, por edhe e shpërndante përmes zëdhënësve të tij në rrjetet sociale.

Por pas shpalljes së vendimit të qeverisë për faljen e gjobave, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, Partisë Demokratike nuk i pëlqeu më kjo nismë.

Tani, kur zgjedhjet kanë përfunduar, Sali Berisha pretendon se diferenca prej 300 mijë votash mes PD-së dhe PS-së është rezultat i kësaj faljeje.

“Sepse nëse ti shpërndan 100 euro për 48 përqind të votuesve, nëse ti fal 200 milionë euro gjoba dhe interesa që përfshijnë minimalisht 300 mijë votues… të gjitha këto janë në kundërshtim me ligjin dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.”

Vendimi i Këshillit të Ministrave, për të cilin flet Berisha, është shpallur më 9 maj – dy ditë para zgjedhjeve – me sqarimin se do të hynte në fuqi pas përfundimit të tyre.
Nëse Rama, me dinakëri, ka përdorur kalendarin politik, problemi i Berishës është më i thellë dhe shkon më pas në kohë: në dhjetor 2024.

Vendimi i 9 majit është thjesht një akt ekzekutiv i një ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 20 dhjetor të vitit të kaluar. Por përtej kësaj, Berisha ka edhe një kontradiktë tjetër të madhe: partia e tij e ka votuar me vullnet të plotë politik këtë ligj.

Nga një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të Kuvendit, rezulton se ky ligj është miratuar me konsensus politik mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, me 81 vota pro. Kartonin e votës pro e kanë ngritur edhe “fajkonjtë” dhe “shqiponjat” e doktorit: Flamur Noka, Albana Vokshi, Bujar Leskaj dhe Elda Hoti.

Ky ligj është miratuar në kohën e “muajit të mjaltit” mes PD-së dhe PS-së, kur të dyja palët ranë dakord për amnistinë.  Sigurisht, pa harruar edhe marrëveshjen për ligjin zgjedhor.

Sigurisht “doktori” duket se e ka harruar këtë. Tani çdo gjë i shërben për të kontestuar zgjedhjet – të humbura jo vetëm me një rezultat historik, por edhe madhështor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »