Juventusi u eliminua nga Kupa e Botës për Klube në fazën e 1/8-ës, pasi u mposht nga Real Madridi, pavarësisht paraqitjes së jashtëzakonshme të portierit Michele Di Gregorio. Gonzalo Garcia ishte heroi i madrilenëve me golin vendimtar, të kësaj ndeshjeje.
Në një diskutim në emisionin “Botërori i Vogël” në ABC News, mbi përballjen mes Real Madridit dhe Juventusit, trajneri Ledio Pano, gazetari Jorgis Memo dhe analisti Bledar Kuka ndanë mendimet e tyre mbi performancat e skuadrave.
Pano vlerësoi pjesën e parë si të balancuar, por theksoi përvojën dhe efektivitetin e Realit në momentet vendimtare. Nga ana tjetër, Memo e përshkroi Realin si një skuadër cinike por jo dominuese, ndërsa Kuka u ndal te dobësitë strukturore të Juventusit, duke i atribuar problemet e klubit menaxhimit të dobët në nivelet e larta.
Ledio Pano, trajner: Pjesa e parë ishte pothuajse e barabartë. Edhe Juventusi luajti shumë mirë. Megjithatë Reali, është Reali, deri në momentin që bëri presion dhe bëri golin Juventusi nuk u duk, Ishte një lojë e mirë.
Jorgis Memo, gazetar: Ishte një Real cinik, nuk ishte i frikshëm. Ndeshja sot nuk mund të themi që dominoi Reali, Juventusi pati dominimet e veta. Reali ka marrë nga pak në çdo ndeshje të Klubeve, nuk ka treguar Realin e vërtetë atë, të vrullshmin.
Bledar Kuka, gazetar: Juventusi ka frikë që ka vite që nuk është i frikshëm. Janë në lojërat e veta me atë vështirësinë e tyre dhe jo me dominim. Mesa kuptohet tek Juventusi problemi është menaxhimi nga lart, nuk është tek trajnerët apo futbollistët./abcnews.al