Lumturia më e madhe në karrierë. E tillë ndjenja për Kristiano Ronaldon kur fiton trofe me kombëtaren e vendit të tij, dhe kështu ndodhi në Mynih.
Portugalia mori trofeun e Ligës së Kombeve pas një finaleje tepër të vështirë dhe heroike ndaj Spanjës, duke sfiduar edhe një herë parashikimet.
Tashmë, vendi I vogël iberik ka 3 tituj ndërkombëtarë, që të tre në epokën “Ronaldo” .
Në stadiumin bavarez “Alianc Arena”, “Furitë e Kuqe” ishin dy herë në avantazh dhe e kërkuan më shumë fitoren.
Zubimendi kaloi në epërsi kampionët e Europës në 21’, por Nunjo Mendesh barazoi shpejt.
Në fund të pjesës së parë ishte radha e baskut tjetër, Ojarzabal, edhe ky lojtar I Sociedadit, për t’i dhenë spanjollëve epërsinë 2-1.
Megjithatë, Kristiano Ronaldo e shënoi golin e tij, të 138-in për kombëtaren në 221 ndeshje.
Dy me dy përfunduan 90 minutat, dhe po kaq edhe 30 minutat e dy kohëve shtesë, edhe pse Spanja bëri më shumë.
Tek penalltitë, portugezët nuk humbën asnjë, gabimin e vetëm e bëri Morata për Spanjën, ndërsa Ronaldo realizoi sërish ëndrrën.
“Një gëzim I madh. Ky brez lojtarësh e meriton një titull të këtij niveli. Kjo I dedikohet familjeve tona. Fëmijët e mi erdhën në ndeshje, edhe gruaja ime, vëllai im, shokët e mi. Unë kam fituar shumë tituj në karrierë, por me Portugalinë është e veçantë. Nuk ka gjë më të bukur se kjo. Ky është kombi ynë, këta janë njerëzit tanë, dhe kjo më bën me të vërtetë të lumtur. Kam jetuar në shumë vende, kam luajtur për shumë skuadra, por ky është një burim I madh krenarie për mua”.
Si është e ardhmja e legjendës?
“Unë dua gjithmonë të fitoj tituj. Kjo është maja, pra kur fiton me kombëtaren. Unë gjithmonë mendoj për të ardhmen, por tani për momentin, është koha për të pushuar mirë. Unë kam një dëmtim të lehtë që e ndjen në nxemje, por që vazhdimisht përkeqësohet. Unë sakrifikova sepse kjo gjë duhet bërë për kombëtaren. Për këtë arsye jam shumë I lumtur”.
“Sërish në “Olimp”, – shkruan “A Bola”, – finalja e Ligës së Kombeve del 2-2, fitore e madhe pas penalltive!”
“Portugalia në zemër, – është titulli I së përditshmes tjetër nga Lisbona, “Rekord”, – Selesao nuk gaboi tek penalltitë, fitoi sërish Ligën e Kombeve!”
Ja edhe “O Zhogo”: E gjitha kjo është gëzim! E gjitha kjo është fado! Fjala fado në portugalisht është edhe fat, por edhe një lloj muzike tradicionale!
Çdo të bëjë pra Ronaldo, në të ardhmen?
Me siguri do ta gjejë një ekip dhe në 2026 do të synojë Botërorin.