Shqipëria i ”bindet” Trump, rrit shpenzimet për mbrojtjen/ “The economist”: Mes vendeve që japin kontribut të madh

schedule15:20 - 16 Qershor, 2025

schedule 15:20 - 16 Qershor, 2025

Shqipëria renditet si një ndër vendet që ka shpenzuar shumë për pajisje ushtarake dhe armatime në buxhetin e saj të mbrojtjes gjatë vitit 2024, duke përmbushur kriterin e alencës euroatlantike.

Në një artikull The Economist ka bërë një analizë të detajuar, për rolin e vendeve anëtare të NATO-s dhe se çfarë e bën një aleat të mirë apo të besueshëm, duke iu referuar kontributit për aleancën ushtarake dhe ku shkojnë paratë që shpenzohen.

Shqipëria ka rritur vitet e fundit investimet për Forcat e Armatosura, ndërsa synohet modernizimi i tyre.

Sipas grafikut të revistës prestigjoze, në vitin 2014 vendi ynë ishte nën objektivin e aleances, pasi shpenzonte pak më shume se 10% për investime në logjistikën ushtarake, ndërsa objektivi minimal i NATO-s është 20%. Pra Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm në dekadën e fundit investimet në pajisje dhe armatim modern, si një nga kushtet themelore të aleancës.

Por vitin e kaluar, Shqipëria ka shtuar investimet për armatimet, duke shpenzuar mbi 40% nga totali i buxhetit të mbrojtjes, ndërsa renditet në mesin e vendeve me përqindjen më të lartë të shpenzimeve në këtë drejtim, në një trend të ngjashëm me Poloninë dhe Hungarinë, ku rreziku lindor është shumë pranë tyre.

NATO kërkon që të paktën 20% e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për pajisje ushtarake, një prag që thuajse të gjithë anëtarët e kanë arritur. Por siç tregon rasti i Greqisë, që shpenzoi 36% të buxhetit të saj për pajisje vitin e kaluar, rëndësi ka edhe destinacioni i investimeve: në këtë rast, shumica e tyre ishin të orientuara ndaj rivalitetit me Turqinë, një tjetër anëtare e NATO-s, dhe jo ndaj kërcënimit të përbashkët nga Rusia.

Procesi i Planifikimit të Mbrojtjes i NATO-s ka për qëllim të sigurojë që pajisjet e blera të përmbushin nevojat operacionale të aleancës.

Sipas The Economist, NATO duhet të gjejë kurajo edhe në fushën e angazhimit operativ. Edhe vendet që shpenzojnë më pak kontribuojnë në mënyrë konkrete.

Në analizë përmendet e roli i vendeve të vogëla anëtare. Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia që kanë dislokuar trupa në krahun lindor të aleancës. Në këtë pikë Shqipëria rezulton aleat që që jep kontribut në operacionet e përbashkëta të NATO-s, ku ka nevojë për prezencë ushtarake.

Sipas prestigjozes pyetja më e rëndësishme është nëse këto angazhime të kufizuara do të shtohen. Në rast të një lufte të madhe në lindje, NATO dëshiron të mund të dislokojë rreth 100 mijë trupa brenda dhjetë ditësh, një rritje e madhe nga 40 mijë që ka në dispozicion sot.

Pa trupat amerikane, evropianët do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë këto objektiva, përveç nëse shpenzojnë ndjeshëm më shumë për rekrutime. The Economist e mbyll artikullin e saj edhe pse një aleat duhet të tregojë angazhim, në fund të fundit “paratë mund të jenë mbreti”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »