Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, komisionerja për zgjerimin Marta Kos, vlerësoi reformat e ndërmarra teksa shprehu bindjen se brenda 2029 vendi ynë do të jetë pjesë e familjes europiane.
Eksperti i Integrimit Gledis Gjipali në një intervistë në emisionin “Balkan Update”, në ABC News, foli për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimi Europian.
Ai u shpreh se reformat e ndërmarra drejt integrimit kanë pasur ecuri pozitive.
“Ka një ecuri pozitive e marrëdhënieve dhe nuk shoh ndonjë pengesë të mundshme. Edhe Marta Kos e përmendi që hapat e negocimit janë duke ecur mirë. Por pyetja këtu është çfarë ndodh pas hapjes së grupkapitujve. Ndryshe nga grupkapitulli i parë, tashmë hyjmë në disa kapituj teknikë në disa investime. Janë të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Grupkapitulli i dytë i hapur së fundmi është shumë i rëndësishëm. Këtu bëhet fjalë për kritere të forta teknike, do të duhet zbatimi apo trupa e administratës publike qendror dhe nivel lokal të jetë shumë e aftë dhe kjo kërkon investime, kapacitete por edhe përfshirje në proces dhe veçanërisht të biznesit”, tha ai.
Më tej nënvizoi se fakti që flitet për një datë konkrete është shumë pozitive, dhe 2029 është shumë e afërt. Pra kjo është hapësira kohore për të arritur rezultate.
“Kjo ndihmon Shqipërinë dhe Malin e Zi që janë me ritme më të mëdha në krahasim nga Serbia. Duhet të kemi parasysh që vendimmarrja nuk është vetëm e Komisionit Europian, por pozitiv është fakti që Komisioni shprehet se nuk do të kërkojë ndryshime. Pra për të ulur dhe ato zëra apo qëndrime që janë kundër një zgjerimi të shpejtë…”, tha ajo.
/abcnews.al/