SHQIPËRI- Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dënuar sulmin e së dielës në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, ku dhjetëra besimtarë humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur.
Ajo bën thirrje që të gjithë njerëzit të qëndrojnë të bashkuar kundër dhunës. Kisha Ortodokse Autoqefale përmend edhe vlerat që ka Shqipëria në bashkëjetesën e saj fetare.
“Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës”, thuhet në reagim.
Deklarata e plotë e Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë:
Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi ditën e djeshme gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor. Sipas fjalëve të urta të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas: “Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt”.
Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, z. Joan dhe për të gjithë Komunitetin Orthodhoks të Sirisë. Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës. Bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë./abcnews.al