‘Sytë’ nga oqeani/ Konferenca e OKB, BE akordon fondin prej 1 miliard eurosh

schedule14:59 - 16 Qershor, 2025

schedule 14:59 - 16 Qershor, 2025

Në Konferencën e Tretë të OKB-së për Oqeanet, liderët botërorë dhe ekspertët kanë shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen alarmante të oqeaneve për shkak të ndryshimeve klimatike, ndotjes plastike dhe peshkimit të paligjshëm. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për nënshkrimin e një traktati ndërkombëtar që do të mundësonte krijimin e zonave të mbrojtura detare në ujërat ndërkombëtare.

Objektivi kryesor i konferencës është mbrojtja e 30% të oqeaneve deri në vitin 2030, por vazhdojnë të ekzistojnë dyshime për realizimin efektiv të këtij qëllimi.

Bashkimi Evropian njoftoi një kontribut prej 1 miliard euro për projektet që synojnë mbrojtjen e oqeaneve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e përgjysmimit të ndotjes nga plastika dhe lëndët ushqyese në pesë vitet e ardhshme.

Raportet shkencore paralajmërojnë për pasoja të rënda: 84% e shkëmbinjve koralorë janë të prekur nga ngrohja e ujërave dhe nëse temperatura detare rritet me 1.5°C krahasuar me periudhën paraindustriale, shumica e koraleve do të zhduken. Rritja me 2°C do të shkaktonte dëme të pakthyeshme. Po ashtu, uji i ngrohtë deri në thellësi 2000 metra po redukton sasinë e oksigjenit, duke rrezikuar jetën e planktonit, peshqve dhe gjitarëve detarë.

Konferenca shënon një pikë kthese në përpjekjet globale për të shpëtuar oqeanet, por kërkohet veprim i menjëhershëm dhe i koordinuar për të shmangur një krizë të pakthyeshme ekologjike.

/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »