Tragjedia në Indi, si i shpëtoi rrëzimit të aeroplanit i mbijetuari i vetëm?

schedule23:26 - 12 Qershor, 2025

schedule 23:26 - 12 Qershor, 2025

Ramesh Viswashkumar, i vetmi i mbijetuar i njohur nga 242 pasagjerët në aeroplanin e Air India që u rrëzua sot në Ahmedabad, ishte ulur pranë daljes së emergjencës dhe arriti të shpëtonte duke dalë përmes saj, sipas policisë.

Në një intervistë nga shtrati i spitalit, 40-vjeçari tha për mediat indiane se ishte shtetas britanik dhe udhëtonte për në Britani me vëllain pas një vizite te familja në Indi.

“Kur u zgjova, kishte trupa rreth meje. U frikësova. U ngrita dhe vrapova. Kishte copa aeroplani kudo. Dikush më mori dhe më futi në një ambulancë dhe më solli në spital”, tha Viswashkumar për Hindustan Times, shkruan Reuters.

Nuk është e qartë nëse Viswashkumar arriti të dilte përpara se aeroplani të godiste tokën. Pamjet nga rrjetet sociale tregojnë një burrë me bluzë të bardhë të njollosur me gjak dhe pantallona të errëta, duke ecur me ndihmën e një mjeku. I njëjti person ka dëmtime në fytyrë dhe një mjekër të vogël, që ngjajnë me fotografitë e Viswashkumar në spital pas aksidentit.

Një foto e biletës së tij të bordit, e publikuar nga Hindustan Times, tregon se ai ishte ulur në vendin 11A të aeroplanit që udhëtonte për në Aeroportin Gatwick.

Ai i tha gazetës se vëllai i tij, Ajay, ishte ulur në një rresht tjetër të aeroplanit dhe kërkoi ndihmë për ta gjetur atë.

“Ai ishte pranë daljes së emergjencës dhe arriti të shpëtonte duke dalë përmes derës së emergjencës”, tha Vidhi Chaudhary, zëdhënës i policisë.

Ndryshe, hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar shkakun e aksidentit dhe për të identifikuar të gjitha viktimat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »