UBT, mbyllen hetimet/ SPAK merr 28 të pandehur, akuzohen për “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “shpërdorim detyre”

schedule12:02 - 28 Qershor, 2025

schedule 12:02 - 28 Qershor, 2025

Prokuroria e Posaçme ka nisur komunikimin e akuzave për 28 personat e përfshinë në dosjen për abuzimin me tenderët në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

SPAK nuk ka dorëzuar ende dosjen në gjykatë, ndërsa të dyshuarit do kenë dhjetë ditë kohë për të bërë kundërshtimet e tyre.

Më herët prokuroria me miratimin e gjykatës caktoi 28 masa sigurie nga të cilat 5 arresti në burg. Bëhet fjalë për të paktën 9 procedura prokurimi në shkelje të ligjit, ku financimi bëhej nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin duke shkaktuar një dëm financiar prej 90 milionë lekësh.

Në skemën korruptive ishin përfshirë drejtues por edhe punonjës të administratës të universitetit, të cilët hetohen për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tenderë. Mes personave që po hetohen në masën e arrestit në burg janë Eduart Terthorja, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, Pirro Zogu që rezulton administrator i shoqërisë tregtare “Krijon”.

Veç kësaj shoqërie ishin të përfshira në gara edhe shoqëritë “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” që kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga Universiteti dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit. Sipas Prokurorisë së posaçme është zbuluar se në disa raste fituesit janë paracaktuar disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »