VIDEO/ “Luftë” nga toka e ajri, flakët mbeten ende aktive në Darëzezë

schedule21:26 - 2 Qershor, 2025

schedule 21:26 - 2 Qershor, 2025

Zjarri në pyllin e Darëzezës vazhdon të jetë në përmasa të mëdha dhe flakët e favorizuara nga era nuk janë vënë ende në kontroll. Ministria e Mbrojtjes njofton se në vendin e ngjarjes ndodhen  7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë.

“Në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në vendin e përfshirë nga flakët ndodhen forcat zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Roskoveci, si dhe punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, të cilët janë përfshirë në ndalimin e përhapjes së zjarrit. Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir, duke hapur korridore emergjente për lehtësimin e operacioneve në brendësi të masivit pyjor.

Paralelisht me flakët në Darëzezë, një vatër tjetër aktive është përhapur në kodrat me ullishte të Zhupanit, në vendin e njohur si “Takodrom”. Banorët kanë sinjalizuar flakët që janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar masivet e ullinjve, megjithëse banesat ndodhen larg. Ndërhyrja në këtë zonë është e kufizuar për shkak të terrinit të thyer, ndërsa dy mjete zjarrfikëse ndodhen në gatishmëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »