Von der Leyen përballë parlamentit/ Votë mosbesimi, për herë të parë që prej vitit 2014

schedule23:51 - 2 Korrik, 2025

schedule 23:51 - 2 Korrik, 2025

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian më 10 korrik.

Është hera e parë që nga viti 2014 që kreu i këtij Komisionit përballet me diçka të tillë

Mocioni u paraqit nga eurodeputeti rumun i krahut të djathtë, Gheorghe Piperea, në lidhje me mesazhet sekrete midis Von der Leyen dhe drejtorit ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Bashkimi Europian.

Më 28 prill 2021, ndërsa marrëveshja ishte gati të finalizohej, gazeta The New York Times raportoi se Ursula von der Leyen e kishte negociuar personalisht marrëveshjen nëpërmjet një sërë mesazhesh dhe telefonatash.

Edhe pse disa anëtarë të Partisë Popullore Evropiane të Von der Leyen dhe krahut të djathtë tërhoqën mbështetjen e tyre për mocionin pas presionit nga partitë e tyre, ai siguroi 72 nënshkrimet e nevojshme për të ecur përpara.

Megjithatë ky veprim pritet të jetë simbolik, pasi shumica e grupeve politike kanë thënë tashmë se do të votojnë kundër. Megjithatë ky hap tregon pakënaqësitë në rritje kundër Von der Leyen në Bruksel pas një sërë lëvizjesh dhe skandalesh të diskutueshme.

Shefja e Komisionit do të paraqitet në një debat mbi veprimet e komitetit të hënën e ardhshme, tre ditë para votimit. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e grupeve të Parlamentit Evropian do të paraqesin pikëpamjet e tyre.

Në rast se propozimi votohet pro, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë, kjo do të çojë në dorëheqjen e të gjithë Komisionit dhe në procesin e gjatë të emërimit të 27 Komisionerëve të rinj Evropianë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

OSZAR »