Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili do të rigjykohen për vrasjen e parë, atë të Gerti Lalës, një ish-anëtari të Bandës së Lushnjës ndodhur në 2010 në Lushnjë.
Haxhiu 15 vjeç në atë kohë dhe Bilbili morën pafajësi nga të dy shkallët e gjyqësorit, por vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë dhënë në Korrik të 2019, u prish nga Gjykata e Lartë në Janar të këtij viti.
Kjo e fundit dërgoi aktet në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë në mënyrë që të rishqyrtojë edhe njëherë çështjen.
Më tej, Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili aktualisht ndodhen në qeli duke vuajtur dënimet me burgim të përjetshëm për atë që njihet si masakra e Lushnjës ndodhur në 2017, ku mbetën 2 të vrarë dhe 1 i plagosur.
Haxhiu, i njohur ndryshe si “rivali i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës, vrau Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën si dhe plagosi Marjus Xhepexhiun dhe Bujar Turkut në Lushnjë. Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.
Emisioni “Gjërat Tona”, do të hedh dritë për herë të parë dhe ekskluzivisht mbi këtë proces, fati i të cilit mund të evitonte atë çfarë pasoi me rritjen e Leart Haxhiut dhe Orgest Bilbilit, të kthyer në dy nga njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit.
Prokuroria e Vlorës
“Jo më kot të dyshuarit, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, si autorë të kësaj ngjarjeje, në deklarimet e dhëna në fazën e hetimeve paraprake, kanë ngritur alibinë se në momentin e ndodhjes së ngjarjes kanë qenë pikërisht në ketë lokal nën shoqërinë e shtetasve: Julian Zeneli, Eduart Belishaku, Odise Leshi, Drini Shehu, Redion Çaushi. Në komunikimet mes të pandehurve Orgest Bilbili e Laert Haxhiu, dalin të dhëna që në mënyrë indirekte i implikonin këta të pandehur në kryerjen e vrasjes së shtetasit Gerti Lala pasi: I pandehuri Laert Haxhiu, akuzonte viktimën Gerti Lala si autorin e vrasjes së djalit të xhaxhait të tij, shtetasit Klodian Haxhiu, duke përdorur shprehjet, “ai edhe mua më ka vrarë djalin e xhajës” ose “pse se kapën këto, ai nga nuk e priste”.
Gjithashtu nga procesverbalet e përgjimeve te kryera rezulton se, Laert Haxhiu përdor shprehjet, “nuk kanë prova”, “ku të njohu ty plaka”, “si të akuzoi ty dhe jo mua”. Prokuroria arsyeton se nga këto biseda të zhvilluara midis dy të pandehurve, del qartë se në këtë ngjarje kanë qenë të dy dhe mendojnë se për autorësinë e tyre në këtë ngjarje nuk ka prova, pra indirekt ata pranojnë se janë autor të kësaj vrasje, por mendojnë se do të përjashtohen nga përgjegjësia penale pasi për fajësinë e tyre nuk ka prova.
Për sa pretendohet nga Laert Haxhiu në përgjimet ambientale, ku akuzonte viktimën Gerti Lala se i kishte vrarë djalin e xhaxhait, konfirmohet edhe nga informacioni i sjellë nga Komisariati Policisë Lushnjë.
Prokuroria e Vlorës
Nga përgjimi i komunikimeve telefonike të shtetasve, Shkëlqim Haxhiu, Adion Haxhiu, Qamil Haxhiu e Drini Shehu të autorizuara me vendimet nr. 24 datë 22.04.2011 dhe nr. 25 datë 27.04.2011 rezulton se, këta shtetas kanë shfaqur interes të veçantë pasi janë informuar se arsyet e thirrjes së tyre në Komisariatin e Policisë, Lushnjë ka qenë pikërisht për t’u pyetur rreth vrasjes së shtetasit Gerti Lala. Referuar provave të grumbulluara në fazën e hetimeve paraprake, përfshirë këtu edhe transkriptin e përgjimit ambiental, përgjimit të thirrjeve telefonike, konkludohet se, të pandehurit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili, duhet të përgjigjen penalisht për kryerjen e veprës penale të vrasjes me paramendim e kryer për hakmarrje dhe në bashkëpunim, e drejtuar kjo vepër ndaj shtetasit Gerti Lala, pasi me veprime konkrete të kundërligjshme, me përdorim të armës luftarake dhe me mjete prerëse dhe të forta kanë vrarë për hakmarrje shtetasin Gerti Lala.
Akuza, në këtë analizë, ka konkluduar se, të pandehurit Orgest Bilbili dhe Laert Haxhiu pasi kanë siguruar më parë mjetet e përshtatshme për të realizuar vrasjen e Gerti Lalës për hakmarrje, natën e ngjarjes kanë qëndruar në ambientet e lokalit të quajtur “Çaushaj” ndodhur ne afërsi të banesës së viktimës. Pasi janë siguruar se Gerti Lala ka qenë duke shkuar për në banesë, e cila ndodhet rreth 300 metra larg lokalit në fjalë, e kanë pritur atë në hyrje të pallatit dhe me përdorim të sendeve të forta kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, me qëllim marrjen e ndonjë informacioni paraprak lidhur me vrasjen e kushëririt të të pandehurit Laert Haxhiu, Klodian Haxhiut. Më pas e kanë qëlluar atë me disa plumba në trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe pas vrasjes, të dy qetësisht janë larguar nga vendi i ngjarjes për t’u kthyer përsëri tek lokali nga ku edhe u nisen më parë. Sapo ata kane mbërritur në këtë lokal aty është hapur fjala për vrasjen e të Gerti Lalës, të thirrur me nofkën “Iriqi”.
Prokuroria e Vlorës
Të pandehurit, Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili kanë konsumuar plotësisht elementet e veprave penale për të cilat akuzohen. Ata kanë cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura në bazë të ligjit, për të mbrojtur jetën e njeriut, rendin dhe sigurinë publike. Me veprimet aktive, konkrete të kryera, shoqërisht të rrezikshme e të kundraligjshme, në formën e sigurimit dhe të mbajtjes së armëve të zjarrit pa leje të organeve shtetërore, përdorimi i tyre me pasojë vdekjen e njeriut me qëllim hakmarrje, që të marra së bashku në proces japin idenë e plotë të dashjes direkte prej të pandehurve në kryerjen e veprës penale. Të pandehurit plotësojnë kuadrin ligjor të veprave penale për të cilat akuzohen. Ata vepruan me dashje të drejtpërdrejtë përderisa njohin dhe parashikojnë kundraligjshmërinë e veprimeve të tyre dhe dëshirojnë apo me ndërgjegje lejojnë ardhjen e pasojës kriminale, siç është vrasja e shtetasit Gerti Lala për hakmarrje. Është e kuptueshme se kryerja e veprës penale të vrasjes me dashje të shtetasit Gerti Lala, është bërë nga të pandehurit, për të marrë hak ndaj viktimës lidhur me vrasjen e të ndjerit Klodian Haxhiu. Ky fakt konfirmohet më së miri me deklarimet e dëshmitarëve të pranishëm në këtë ngjarje dhe përgjimet e bëra midis të pandehurve dhe personave të tjerë. Duke e konsideruar akuzën të provuar nga organi i akuzës, është kërkuar deklarimi fajtor dhe masat e dënimit përkatëse.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të pandehurve kërkoi deklarimin e tyre të pafajshëm për shkak se sipas tyre nuk gjenden të vërtetuara rrethanat dhe faktet e paraqitura nga Prokuroria për të vërtetuar akuzat e vrasjes me paramendim. Mbrotja ka përsëritur kërkesat për pavlefshmëri të akteve, si vendimin për kryerjen e eksperimentit hetimor, vendimin për caktimin e mbrojtjes, procesverbalin e kryerjes së eksperimentit hetimor për mundësinë e të parit të Orgest Bilbilit dhe procesverbalin për njohjen e personit. Gjithashtu, mbrojtja pretendon se ka analizuar dëshminë e nënës së viktimës, duke vënë në dukje momente nga dëshmia e saj në lidhje me pohimet ndaj të pandehurve, si dhe kundërthëniet në deklarimet e mëparshme para Policisë, por edhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë, shokë të viktimës, si dhe banorëve të pallatit, të cilët në asnjë rast nuk identifikojnë si autorë të pandehurit. Përfundimisht është kërkuar deklarimi i pafajshëm i tyre.
Në fakt këtë vendim kanë dhënë edhe treshja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Albert Spiro, Mirela Mishgjoni e Klodian Gjyzari, më datë 12 dhjetor 2012, që i ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili.
Procesi farsë për vrasjen e “Iriqit”
Në shpalljen e vendimit të pafajësisë për Laert Haxhiun dhe mikun e tij Orgest Bilbilin, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka vlerësuar se nga provat e paraqitura nga akuza në proces, nuk provohet se të pandehurit të kenë konsumuar elementë të veprës penale “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim për qëllime hakmarrjeje. Në këto rrethana, sipas Gjykatës, ata duhet te deklarohen të pafajshëm.
Në arritje të këtij përfundimi, Gjykata ka parasysh se përcaktimi i vërtetësisë dhe fuqisë provuese të provave, bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor, ku asnjë provë nuk ka fuqi të paracaktuar, por ato vlerësohen në tërësinë e tyre. Sipas Gjykatës, për të konkluduar për fajësinë e të pandehurit dhe kualifikimin e veprës penale, duhet që provat të jenë në unitet me njëra – tjetrën dhe asnjë prej tyre nuk duhet të mbivlerësohet apo të ketë vlerë të paracaktuar në raport me provat e tjera. Në lidhje me paraqitjen nga ana e akuzës për të provuar fajësinë e të pandehurve të transkriptove telefonike dhe ambientale, Gjykata vlerëson se këto përgjime nuk janë prova, por janë mjet për kërkimin e provës.
Gjykata e Vlorës
“Në këtë gjykim rezulton se nuk ka asnjë provë me fuqi provuese të pakontestueshme që të provojë se të pandehurit janë autorë të veprave penale, për të cilat akuzohen. Nga ana e akuzës është arritur në përfundimin e fajësisë së tyre duke u mbështetur në dyshime dhe indicie. Neni 152/2 i Kodit të Procedurës Penale, parashikon se ekzistenca e një fakti nuk mund të nxirret nga indiciet, përveçse kur këto janë të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën”
Kundër këtij vendimi, Prokuroria e Vlorës, ka paraqitur ankim dhe ka kërkuar ndryshimin e tij dhe deklarimin fajtor të të pandehurve për veprat penale për të cilat janë akuzuar dhe dënimin e tyre sipas kërkesës së bërë në seance gjyqësore.
Sipas organit të akuzës, vendimi i Gjykatës është rrjedhojë e interpretimit të gabuar ligjit penal dhe procedurial, si dhe të provave të administruara gjatë gjykimit. Këtë vendim Prokuroria e ka çmuar si një vendim të dhënë në favor të pafajësisë së të pandehurve Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili dhe jo të drejtësisë. Kështu megjithëse në pjesën hyrëse të vendimit janë renditur të gjitha provat e administruara në dhënien e vendimit ajo u është referuar vetëm atyre që kanë qenë në funksion në pafajësisë.
Megjithatë, edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, dhënë më datë 12 nëntor 2013, ka qenë në favor të dy të akuzuarve, duke lënë në fuqi atë të shkallës së parë. Duke arsyetuar se është i bazuar në prova dhe në ligj dhe i marrë në respektim të normave proceduriale dhe ligjit material e si i tillë ai duhet të lihet në fuqi.
Duke arsyetuar vendimin, Gjykata e Apelit shprehet se, gjatë procesit të kryerjes së veprimeve të njohjes dëshmitarja Vangjeli Lala ka identifikuar si personin që ka parë natën e ngjarjes, shtetasin Orgest Bilbili. Ky veprim procedurial është kontestuar si nga të pandehurit ashtu dhe nga mbrojtësi i tyre i zgjedhur
Gjykata e Apelit
“Gjykata e Shkallës së Parë ka bërë një analizë të hollësishme të provave të paraqitura nga organi i akuzës dhe në fund me të drejtë ka konkluduar se ato nuk duhet të merren në konsideratë për pranimin e fajësisë së të pandehurve. Kodi i Procedurës Penale parashikon dispozita konkrete për procedurën e njohjes së personave, mosrespektimi i të cilave passjell sipas rastit papërdorshmërinë apo pavlefshmërinë e këtij veprimi.
Duke marrë në analizë procedurën e njohjes, është provuar gjatë gjykimit se, para paraqitjes për njohje është kryer eksperimenti për mundësinë e parjes së personit. Në këtë eksperiment katër personat që do t’i nënshtroheshin paraqitjes për njohje midis të cilëve dhe i dyshuari Orgest Bilbili, janë vendosur para dritares së banesës dhe kanë lëvizur në rrugë. Në këtë eksperiment hetimor shtetesja Vangjeli Lala ka deklaruar se dhe dy nga personat e tjerë nga ecja i ngjajnë me atë që ka parë natën e ngjarjes, por nuk është shumë e sigurt. Kur është paraqitur i dyshuari Orgest Bilbili ajo e ka identifikuar si personin që ka parë natën e ngjarjes”
Nga ana tjetër, Apeli shprehet se për të provuar fajësinë e të pandehurve, nga ana e organit të akuzës janë sjellë në gjykim edhe traskriptimet të përgjimeve telefonike dhe ambientale. Por sipas Apelit, me të drejtë gjykata e faktit, këto përgjime nuk i ka konsideruar si prova, por si mjete për kërkimin e provës.
Gjykata e Apelit
“Ndryshe nga sa pretendohet në kërkesë ankimore, i pandehuri Orgest Bilbili për asnjë moment nuk ka pranuar, jo vetëm faktin që të ketë kryer veprime për vrasjen e viktimës, por as dhe të jetë shprehur për ndonjë indicie për ta përfshirë atë në këtë ngjarje. Përkundrazi nëpërmjet pohimeve të tij (te dala nëpërmjet përgjimeve) provohet në mënyrë të qartë mungesa e një motivi të këtij të pandehuri për vrasjen e Gerti Lalës dhe aq më tepër për një motiv hakmarrje sikundër pretendon organi i akuzës. Pra, nga këto përgjime nuk është përfituar ndonjë provë që të fajësojë të pandehurit”
Në vendim, Gjykata e Apelit shprehet se, ashtu siç është analizuar, akuza për të pandehurin Laert Haxhiu bazohet vetëm në faktin se nga dëshmitarja, në deklarimet e saj është përmendur se ka dëgjuar shprehjen “Laert shpejt dorezën” dhe për shkak se ai është shok i të pandehurit Orgest Bilbili dhe vrasjes të kushëririt të tij në vitin 2005 nga banda e Lushnjës ku dyshohej se viktima ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Por, sipas Apelit, sikundër rezulton e provuar edhe gjatë gjykimit, nga ana e akuzës nuk është paraqitur asnjë provë dhe për faktin pse Orgest Bilbili është ekzekutori dhe nuk duhet të akuzohet i pandehuri tjetër Laert Haxhiu, i cili sipas akuzës kishte dhe motivin për të kryer vrasjen për qëllim hakmarrje. Ndërkohë, sipas gjykatës, megjithëse dëshmitarja Vangjeli Lala ka deklaruar se ka parë dy persona dhe se personi tjetër nuk ishte Laert Haxhiu, të cilin ajo e njeh, edhe pse në rastin konkret prej kësaj dëshmitareje është pohuar fakti se nuk ka qenë në vendngjarje, në fund e akuzon për veprën penale të vrasjes, pa kryer veprime të tjera hetimore në lidhje me këtë person.
Gjykata e Apelit
Për sa më sipër kjo Gjykatë çmon se me të drejtë Gjykata e Shkallës së Parë ka rrëzuar pretendimin e ngritur nga Prokuroria se, nga përgjimet ambientale dhe telefonike, provohet që të pandehurit janë autorë të vrasjes së shtetasit Gerti Lala. Në këtë rast kemi të bëjmë me indicie (provë indirekte), të cilat që të marrin vlerën e provës duhet të lidhet edhe me prova të tjera. Dëshmitë indirekte që vlerësohen si indicie të dëshmitarëve janë kontradiktore, pasi nuk harmonizohen me provat e administruara gjatë gjykimit. Nisur nga këto kundërshti, me të drejtë Gjykata në funksion të dhënies së vendimit, ka rrëzuar dhe motivet e kryerjes së veprës penale të vrasjes për hakmarrje, duke i cilësuar dëshmitë si të pabesueshme në lidhje me motivin e kryerjes së veprës penale.
Në përfundim të arsyetimit, Apeli shprehet se, nisur nga rrethanat e faktit të vërtetuara gjyqësisht, e të analizuar ne mënyrë të hollësishme në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por dhe gjatë këtij vendimi nuk provohet që të kenë qenë të pandehurit personat që kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit çmon se pretendimet e ngritura prej Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë janë të pabazuara, ato kanë marrë përgjigje në vendimin objekt shqyrtimi. Në këto kushte, treshja gjykuese, Hysen Saliko, Andi Civici dhe Sokol Ngresi kanë vendosur që vendimi Nr.671, datë 12 dhjetor 2012 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duhet të lihet në fuqi.
Gjykata e Lartë e ktheu dy herë për rigjykim
Pas rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Vlorës, Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim çështjen në ngarkim të Laert Haxhiut dhe Orgest Bilbilit, me vendimin e datës 31 janar 2018. Ndër të tjera, në këtë vendim, arsyetohej se Gjykata e Apelit të Vlorës kishte pranuar që të pandehurit janë autorë të kësaj vrasje, por duke qenë se provat e administruara prej saj në seance gjyqësore komform kërkesave të ligjit nuk mund të konsiderohen të tilla, i ka deklaruar të pafajshëm. Po kjo Gjykatë është shprehur fillimisht për vlefshmërinë provave dhe përdorueshmërinë e tyre në këtë gjykim, çuditërisht në përfundim të gjykimit ka arsyetuar se, këto prova nuk mund të përdoren, kur me po këto prova kjo gjykatë pranon ekzistencën e faktit penal, si dhe autorësinë e të pandehurve në këtë gjykim.
Lidhur me transkriptimet e përftuara nga përgjimi ambiental dhe telefonik i të pandehurve me njeri-tjetrin dhe me persona të tjerë, Apeli ka arsyetuar se, ai nuk është prove por mjet për kërkimin e provës, jo me kot gjykata ka arsyetuar në këtë formë, pasi në të gjitha këto përgjime të pandehurit shpjegojnë rreth faktit penal dhe autorësisë së tyre në këtë vrasje. Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli ka keqinterpretuar ligjin dhe provat e këtij fakti penal duke justifikuar në këtë mënyrë pafajësinë e të pandehurve, kur vetë ata e pranojnë se kanë kryer veprën penale, provë kjo që lidhet edhe me dëshmitë e personave të tjerë të pyetur nga Gjykata në seancë gjyqësore lidhur me këtë vrasje.
Biseda e përgjuar:
Laert Haxhiu: Ta nxjerri kështu ai ta hapi çantën ja ku i ke se thonë kështu këta ou se lek duan … e motrës për lekë e bëjnë këta. Do u shtyp kokën unë atyre kur të dal do t’ja … motrën. Ore që do të dal do dal unë, s’të mban njeri brenda kur s’ke bërë gjë është muhabet kunji të na i ngecin ne. I thashë atij shefit të rendit, ti sa merr në muaj i thashë që i çon në shtëpi, unë i prish në ditë, tall … ai më tha mua që je në bashkëpunim me tjetrin.
Orgest Bilbili: E ç’na bënë ne këta … e motrës të …plakën.
Laert Haxhiu: Ç’e vret mendjen shumë ti na këtu u … e ke seriozisht ti?
Orgest Bilbili: Për plakën po e vras mendjen… Unë s’kam asnjë provë asnjë gjë, kot me hamendje të plakës, ku më njohe ti ku më pe ti. Më tha bluza e kuqe, tha ai e ku e pe ti ç’a pantallonash kisha vesh. S’e di, po ça dini ju, ku e pe ti ç’a pantallonash kisha veshur. Opo për të folur ja …. motrën unë po ishalla s’ia marrin për bazë plakës.
Laert Haxhiu: Në bashkëpunim e po do ta thoshte ajo ishte filani e kupton … do ta thoshte emrin tim. Na akuzojnë padrejtësisht kanë qenë dëshmitarë këta, kanë qenë ata, u çova në këmbë unë do të …. motrën ty i thashë asaj unë do të bjerë radha dhe ty i thashë.
Orgest Bilbili: Ça thu?
Laert Haxhiu: Ja shikoje…unë ja … motrën, e djeg komplet atë.
Orgest Bilbili: Po kur, apo na kanë në përgjim?
Laert Haxhiu: E të kisha bërë ou direkt brenda. Unë ja … motrën atij sa të dal një çik .Unë e kam gjithë shtetin mik s’më … për këta të Lushnjës. Këta janë kokëmorr bëhen garipa nga Tirana. Ta marr unë avokatin, qysh e mban ti tjetrin pa asnjë lloj prove, plaka s’rri gojë mbyllur, qysh më akuzoke ti unë do t’ia ….motrën t’i them nëse dal që këtu do t’i djeg si familje si më akuzon plaka e tij. Ai ma ka vra dhe mu çunin e xhajës pse s’e kapën këta?
Orgest Bilbili: Kur të dalim nga burgu dalim të keq fare ne. Do t’u dali mendja kur të dalim nga burgu.
E megjithatë, edhe pasi çështja është kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë, Apeli i Vlorës, sërish ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë, Vendimi është shpallur më 10 korrik.2019, nga treshja gjykuese Skënder Damini, Margarita Buhali dhe Petrit Aliaj. Edhe ky vendim është thuajse identik me atë të dhënë më herët nga Apeli, me ndryshimin e vetëm që në këtë rast ka pasur edhe një mendim pakice.