Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot në orën 09:00 procesin zyrtar të rinumërimit të 2323 qendrave të votimit, pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Rinumërimi përfshin gjithashtu edhe 85 kuti votimi nga diaspora.
Procesi po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë dhe është organizuar në 24 tavolina, me 24 grupe të posaçme të numërimit. Për të garantuar transparencën maksimale, rinumërimi do të transmetohet ‘live’ në rrjetet sociale të KQZ-së.
Qarqet e përfshira në këtë proces janë Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Të drejtën për të pasur vëzhgues gjatë rinumërimit e kanë vetëm subjektet politike të legjitimuar nga KAS gjatë shqyrtimit të ankesave:
Elbasan: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste
Fier: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet
Durrës: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste
Tiranë: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe partia Mundësia
Procesi pritet të zgjasë disa ditë, në varësi të ritmit të numërimit dhe verifikimeve për çdo kuti votimi. / abcnews.al